Ekonomia gjermane nuk po rritet aq fuqishëm sa partnerët e saj, pranoi ministri i Financave Christian Lindner.
Me këto fjalë ai ka reaguar ndaj publikimit të parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të cilat i cilësoi si shumë të kujdesshme, ku pritet që produkti i brendshëm bruto gjerman të ulet me 0.1 për qind në vitin 2023, duke përmendur hyrjen në recesion sipas Reuters.
“Disa nga partnerët tanë, miqtë tanë, konkurrentët tanë po zhvillohen në mënyrë më dinamike se Gjermania”, theksoi Lindner.
Ai vuri në dukje se brenda disa javësh Berlini do të prezantojë parashikimet e tij të përditësuara, të cilat do të jenë më në përputhje me vlerësimet e instituteve ekonomike gjermane, të publikuara javën e kaluar.
Sipas tyre, në vitin 2023 ekonomia gjermane pritet të rritet me 0.3 për qind, si dhe të shmangë recesionin.
“Ky paralajmërim për recesionin e FMN-së është një arsye për të shqyrtuar se çfarë mund të bëjmë për të forcuar pozicionin tonë ekonomik dhe konkurrues”, tha Lindner.
Në një raport me parashikimet për ekonominë botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar uli pak perspektivën për rritjen globale për vitin aktual, pasi rritja e normave të interesit ngadalësoi aktivitetin ekonomik dhe paralajmëroi se trazirat e mëtejshme në sistemin financiar mund të reduktojnë prodhimin në nivele afër recesionit.
FMN kishte parashikuar rritje prej 0.8 për qind për zonën e euros, por dha parashikime më të këqija për disa ekonomi të mëdha, përfshirë Gjermaninë, e cila tani parashikohet të tkurret.