Në kuadër Samitit të Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë mbahet në Shqipëri, mbahet sot në Tiranë takimi i Ministrave të Punëve të Jashtme të Procesit të Berlinit. Pjesë e takimit do të jenë 24 delegacione dhe takimi do të drejtohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Pjesë e takimit do të jetë edhe Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ministrat e Jashtëm të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës si dhe të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit si Gjermania, Austria, Greqia, Hungaria etj. Takimi do të ketë 2 sesione të cilat do të jenë të mbyllura dhe në fund ministri Hasani, ministrja gjermane Baerbock dhe komisioneri Varhelyi do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp.
Linjat kryesore te diskutimit të Ministerialit do të jenë forcimi i dimensionit rajonal, nënvizimi i rëndësisë së veçante të këtij procesi në kuadër të integrimit në BE, përforcimi i angazhimit lidhur me Tregun e Përbashkët Rajonal, përafrimi me Tregun Unik të BE-së, zbatimi i marrëveshjeve të lëvizshmërisë, forcimi i marrëdhënieve ndërmjet shteteve të rajonit, si dhe përshpejtimi i integrimit europian.