Media argjentinase “DirectTV” ka intervistuar sulmuesin e kombëtares së vendit amerikanojugor, Lionel Mesin, duke marrë mendimet e tij në prag të Botërorit të Katarit. Mesi në këtë intervistë ngjalli shumë debat, pasi foli për fundin e karrierës së tij dhe “sikur të ishte ende 25 vjeç gjërat do të kishin qenë ndryshe”. Pra kuptohet, ai po e pranon se ky është Botërori i fundit. Sulmuesi i PSG-së nuk e fshehu se sheh Brazilin dhe Francën si kandidatët e mëdhenj për të ngritur trofeun e Botërorit dhe nuk e fsheh se do të dëshironte të ishte sërish 25 vjeç për të pasur pothuajse përsëri karrierën përpara tij. Mesi është i vetëdijshëm dhe e tha edhe në këtë intervistë, se në Argjentinë njerëzit i besojnë kombëtares për të ngritur Kupën e Botës.
Ai e di se do të jetë e vështirë për shkak të konkurrencës së madhe: “Ka shumë skuadra që duan të njëjtën gjë si ne. Ka shumë që janë të forta, jemi në një moment të mirë si ekip e si grup. Njerëzit janë të emocionuar dhe besojnë se do të kthehemi me Kupën në atdhe. Është një Botëror ndryshe, pasi luhet në një kohë të ndryshme nga ato të mëparshmit. Jemi aq pranë saqë çdo gjë e vogël që mund të na ndodhë mund të na lërë jashtë. Çfarë ndodhi me Dibalën apo Di Maria, në nivel personal më ka shqetësuar. Duke parë se si shumë lojtarë po dëmtohem jam i trembur. Disa ditë më parë ndjeva një kontrakturë, bëra rezonancë dhe nuk kisha asgjë, por ndalova si masë paraprake dhe vendosa ta bëj edhe disa ditë pushim. Tashmë jam mjaft me fat që mund të jem në këtë Botëror në moshën 35-vjeçare. Duhet të jem realist, ndihem shumë mirë fizikisht, më mirë se vitin e kaluar. Mendërisht dhe fizikisht, sidomos pasi kalova COVID-in…”, theksoi ai.
Ai më tej foli për atë që do të bëjë me të ardhmen e tij pas Botërorit, por dukshëm ai tani anon nga njerëzorja e jo nga trofetë. “Do të varet nga ajo se si ndihem personalisht dhe fizikisht mbi të gjitha. Pas këtij Botërori do të shohim se çfarë mund të ndodhë në nivel e karrierë. E kam përsëritur disa herë, është fantastike të bëj atë që më pëlqen, të luftosh mes më të mirëve. Por ajo që mbetet është njeriu, jeta. Është mbi sportin. Ndonjëherë më ndodh të luaj keq. Është e rrallë që unë dal i kënaqur nga një ndeshje. Jam gjithmonë kërkues me veten. Ka ndeshje që i fitojmë, kam shënuar dy ose tre gola, por kam humbur një rast dhe më mbetet mendja aty”, shtoi më tej Leo Mesi, i cili nuk është bërë pishman që ka zgjedhur të përfaqësojë Argjentinën para Spanjës.