“Çdo orvatje për të arrestuar Vladimir Putin nga një vend i huaj pas urdhër- arrestit të lëshuar kundër tij javën e shkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) do të përbëjë një “deklaratë lufte” kundër Moskës”. Ky është paralajmërimi i bërë nga aleati i tij kryesor, Dmitri Medvedev.
“Le ta imagjinojmë atë (…) Për shembull, kreu i shtetit të një fuqie bërthamore shkon në Gjermani dhe arrestohet. Çfarë është? Një deklaratë lufte kundër Rusisë,” tha Medvedev, ish-president i Rusisë dhe tani i dyti në komandën e Këshillit të Sigurimit të Rusisë.
“Nëse ndodh kjo, atëherë “të gjitha aftësitë tona, raketat dhe të tjera, do të bien mbi Bundestag, zyrën e kancelarit e kështu me radhë,” shtoi Medvedev, i cili është mësuar me deklaratat e zëshme.
Ky paralajmërim grafik erdhi pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale, me qendër në Hagë, javën e kaluar lëshoi një urdhër-arrest kundër Putinit për krimin e luftës të “deportimit” të fëmijëve nga Ukraina si pjesë e sulmit të Moskës ndaj saj.
Gjatë një interviste me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, ai argumentoi se Ukraina është pjesë e “Rusisë së Madhe” dhe shtoi se nuk sheh perspektivë të një ringjalljeje të marrëdhënieve të Moskës me qeveritë perëndimore në të ardhmen e afërt.