Emigrimi masiv i shqiptarëve me gomone në drejtim të Britanisë së Madhe duke kaluar kanalin e “La Manshit” vazhdon. Pavarësisht marrëveshjes që u firmos mes homologëve Bledi Çuçi dhe Priti Patel, për të vendosur në Kent oficerë shqiptarë dhe për të përshpejtuar deportimin e shoqëruar me 4 vite burg për ata, të cilëve ju refuzohet kërkesa e azilit, gomonet ndalen çdo ditë në ishull.
Media britanike DailyMail raportoi sot se teksa 40 emigrantë të tjerë zbritën ditën e sotme në brigjet angleze, një burrë nga Shqipëria ka bërë shenjën e shqiponjës dykrenare me duar, ndërkohë që shoqërohej nga roja bregdetare. Madje gjesti i emigrantit shqiptar krahasohet me atë që dy futbollistët me origjinë shqiptare, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka realizuan pas golave të tyre kundër Serbisë në Botërorin e vitit 2018.
“Një burrë që mbërriti sot në Britani pozoi para kamerave në Dover duke bashkuar duart për të formuar një shqiponjë dykrenare të ngjashme me atë në flamurin shqiptar. Gjesti nacionalist është bërë në Botërorin 2018 nga futbollistët Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, të cilët po luanin për Zvicrën kundër Serbisë. Ata të dy u gjobitën nga paneli disiplinor i FIFA-s për këtë”, shkruan siti i njohur anglez.
Sipas artikullit, shërbimet e sigurisë në Britani tashmë kanë nisur të aplikojnë një kontroll shtesë ndaj shqiptarëve që mbërrijnë ndërsa shqetësimet rriten për përfshirjen e tyre në krimin e organizuar. Të dhënat në Britaninë e Madhe tregojnë se gjatë këtij viti kanë mbërritur 2165 shqiptarë, por që nga fillimi i korrikut numri mendohet të ketë shkuar deri në 6000.
Ndërkohë, sipas marrëveshjes së firmosur midis dy ministrave të Brendshëm shqiptarët do të kthehen në atdhe me avionë të marrë me qira nga pala angleze. Sipas skemës, e cila fillon javën e ardhshme, çdo shqiptar që kërkon azil do t’i trajtohet menjëherë çështja dhe ata që nuk kanë të drejtë të vijojnë qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar do të depërtohen me shpejtësi.
“Disa mund të kthehen brenda disa orësh”, i thanë burimet DailyMail.