Një tubim zgjedhor i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim në pushtet është mbajtur në aeroportin Ataturk në Stamboll të dielën, ku janë mbledhur më shumë se 1.7 milionë njerëz, raporton Anadolia.
Tubimi u organizua në prag të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, të cilat do të mbahen të dielën e ardhshme, më 14 maj.
Të pranishmëve në takim iu drejtua presidenti turk, njëherësh kreu i AKP-së, Rexhep Tajip Erdogan, i cili është edhe kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Ai paralajmëroi një sërë projektesh të mëdha në metropolin turk të Stambollit, duke përfshirë “Tunelin e Madh të Stambollit”.
“Me “Tunelin e Madh të Stambollit”, ne do të pasurojmë më tej transportin në qytet, duke lidhur 11 linja të ndryshme hekurudhore që do të përdoren nga 6.5 milionë qytetarë çdo ditë”, tha Erdogan. “Ne po zbatojmë projektin tonë të madh të tunelit në Stamboll. Ky projekt, pas Marmaray dhe Euroazisë, do të jetë tuneli i tretë që do të kalojë nën Bosfor”.
Më parë, blloku i opozitës me gjashtë parti iu drejtua dhjetëra mijëra mbështetësve në një tubim në Stamboll, shtatë ditë përpara zgjedhjeve më të rëndësishme në Turqi në dekada.
“Ju do ta zëvendësoni qeverinë autoritare me mjete demokratike”, tha kandidati i opozitës Kemal Kilicdaroglu para turmës në lagjen Maltepe të Stambollit.
Një ndryshim demokratik në qeverinë turke do të ishte “një dhuratë për politikën botërore”, shtoi kandidati i opozitës, i cili është pak përpara presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan në sondazhe.
“Ne nuk do ta lëmë Turqinë në duart e një njeriu”, theksoi ai.
Më 14 maj, qytetarët turq do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe do të zgjedhin mes katër kandidatëve presidencialë, 24 partive politike dhe 151 kandidatëve të pavarur për parlament.
64,11 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje dhe më shumë se 4,9 milionë qytetarë turq do të votojnë për herë të parë.
Presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan, pastaj Muharrem Ince, Kemal Kilicdaroglu dhe Sinan Ogan, sipas renditjes në fletëvotim, janë kandidatë për president.
Qendrat e votimit më 14 maj do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në orën 17:00. koha lokale, në 87 rajone.
Qendrat e votimit do të jenë të hapura edhe jashtë Turqisë, në 75 shtete dhe 156 përfaqësi të këtij vendi. Më shumë se 3.41 milionë qytetarë janë regjistruar për të votuar nga jashtë.
Erdogan po përballet me zgjedhjet e tij më të vështira në 20 vjet, mes një krize ekonomike dhe pas tërmeteve shkatërruese të shkurtit në Turqinë lindore.
Ai ishte në qytetin jugor të Mersinit të shtunën ku i përshkroi zgjedhjet si një “zgjedhje të mbijetesës kundër terroristëve”, duke përmendur lidhjet midis Kilicdaroglu dhe Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Opozita, e cila i mohon akuzat, bëri thirrje për qetësimin e situatës.