Të paktën 4,815 fëmijë janë abuzuar seksualisht nga anëtarët e Kishës Katolike Portugeze – kryesisht priftërinj – gjatë 70 viteve të fundit.
Kështu thuhet në raportin e komisionit që hetoi këtë çështje dhe publikoi raportin të hënën, shkruan Reuters.
“Ne duam të shprehim respektin tonë të sinqertë për ata që ishin viktima të dhunës si fëmijë dhe guxuan t’i jepnin zë heshtjes. Ato janë shumë më tepër se statistika,” tha psikiatri i fëmijëve Pedro Strecht, i cili drejtoi komisionin.
Sipas Strecht, 4,815 rastet janë “minimumi absolut” i viktimave të abuzimit seksual nga klerikët në Portugali që nga viti 1950.
Shumica e autorëve (77%) ishin priftërinj, dhe shumica e viktimave ishin djem, tha Strecht, duke shtuar se ata ishin abuzuar në shkollat katolike, kisha, shtëpitë e priftërinjve dhe konfesionale.
Shumica e abuzimeve seksuale ndodhën kur fëmijët ishin midis 10 dhe 14 vjeç, me viktimën më të vogël vetëm dy vjeç.
Kreu i Konferencës së Ipeshkvijve, Jose Ornelas, i cili ishte i pranishëm në prezantimin e raportit përfundimtar, tha se do t’i përgjigjet më vonë të hënën.
Më herët, kisha deklaroi tashmë se ishte e gatshme të “marrë masat e duhura”.
Vitin e kaluar, Kisha Katolike Portugeze u trondit nga rastet e një mbulimi të supozuar të abuzimit seksual, përfshirë nga peshkopët që vazhdojnë të luajnë një rol aktiv kishtar. Komisioni tha se ishte duke përgatitur një listë të priftërinjve të akuzuar që janë ende duke punuar.