Tony Selimi, shqiptari nga Gostivari që jeton në Londër, ka arritur që të bëhet një trajner i njohur botëror dhe mentor për të ndërtuar besimin dhe balancën e nevojshme për zgjidhjen e problemeve të biznesit dhe rritjen e performancës dhe produktivitetit. Por, Selimi ka një histori të trishtë dhe frymëzuese.
Në një intervistë për “Abc-ja e mëngjesit”, Tony rrëfeu se si u ballafaqua me shumë sfida në jetë që në një moshë shumë të vogël, duke nisur nga abuzimi seksual. Ai tregoi se pasi nisi studimet e larta në ish Jugosllavi, ku u detyrua që të shkonte në ushtri dhe të përjetonte gjëra të tmerrshme gjatë luftës civile.
Më pas, ai rrëfeu se nëna e tij mori para borxh për ta nisur në Londër, ku jetoi për një kohë rrugëve. Ai tregoi se kur ishte 29 vjeç, mori guximin që të konsultohej me ekspertë të shëndetit për t’u shëruar nga abuzimi seksual që përjetoi kur ishte vetëm 5 vjeç.
“Në moshën 29 vjeçare u takova me një psikolog dhe shërues. Gjatë kësaj kohe, e kam bllokuar se çfarë më ka ndodhur totalisht se çfarë më ka ndodhur në fëmijëri. Duke punuar me ekspertë, më sollën në vetëdije për traumat që kisha në fëmijëri. Ishte një burg tepër i mbyllur” – tha Tony.
Kur isha 5 vjeç, më abuzuan seksualisht. Ishte punëtori që ka punuar me babanë tim në restorantin tonë. Kanë qenë disa episode. Vetëm kujtoj se sa i jam lutur zotit për ndihmë”, tregoi ai. “Në moshën 20 vjeçare isha i pastrehë, pasi mu shpëtua jeta nga lufta e ish Jugosllavisë.
“Nëna mori hua dhe më futi në aeroplan në Londër. Nuk dija as gjuhën dhe 10 vitet e para kam punuar 4-5 punë çdo ditë që së pari të heq vetveten nga rruga, të kem një dhomë të vogël, t’i rikthehem edukatës dhe të vazhdoj atë që fillova në fakultetin e ish Jugosllavisë.”, shtoi më tej.
Tony foli gjithashtu dhe për orientimin seksual dhe njohjen me partnerin me të cilin është prej disa vitesh. “Nëse kthehem në kohë gjithmonë kam pasur afërsi ndaj gjinisë mashkullore por për shkak të vendit, frikërave dhe çdo gjë që ndodhte në popullin tonë, nuk kisha hapësirë që të tregoja vetveten.
U desh që të kalonte një kohë, por jam i kënaqur që nëna para se të ndërronte jetë e takoi partnerin tim dhe kishin një marrëdhënie të mirë.“, tha ai.