Motoçiklistë nga qytete të ndryshme serbe janë nisur sot drejt Kosovës, të cilët pritet të arrijnë në pikën kufitare në Jarinjë. Mediat kosovare shkruajnë se Policia e Kosovës është nisur drejt kufirit.
Anëtarë nga grupi i motoristëve “Bike Rock Mission” kanë konfirmuar për mediat serbe se rrugën për në Kosovë po e nisin nga Beogradi “në shenjë mbështetjeje për popullin serb”.
Ata konfirmuan se do të udhëtojnë për në Rashkë dhe se presin që gjatë rrugës t’u bashkohen edhe motoristë të tjerë. Siç raportojnë mediat kosovare, motoçiklistët planifikojnë që në Kosovë të hyjnë përmes Jarinjës dhe të shkojnë në Leposaviq e Zveçanit dhe udhëtimin e tyre ta përfundojnë në Mitrovicë. Arsyeja e ardhjes së tyre thuhet se është e natyrës humanitare dhe një nga qëllimet është restaurimi i kishës së Shën Dimitrit, si dhe ndihma për familjet serbe më të rrezikuara në Kosovë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani, ka thënë për mediat serbe se kanë informacione se motoçiklistë nga Serbia janë nisur drejt kufirit në Jarinjë.
“Ne kemi marrë informacione se disa motoçiklistë janë nisur drejt atij kufiri, ndaj nëse ka ndonjë problem, policia duhet të jetë aty”, – tha ai.
Elshani nuk ka specifikuar se sa pjesëtarë të policisë janë dërguar në këtë vendkalim. Mësohet se në kolonën e motoristëve nga Serbia, nuk mungojnë flamujt serb dhe mbishkrimet provokuese si “Kosova është djep i Serbisë”.
Forca të shtuara të Policisë së Kosovës ndodhen afër Jarinjës, ndërsa nuk dihet nëse motoristët do të lejohen të hyjnë në Kosovë.