Monumenti më i famshëm në Paris, Kulla Eiffel është mbyllur pasi punëtorët hynë në grevë, për të protestuar për mënyrën e menaxhimit financiar. Disa sindikata kanë kritikuar operatorin e kullës, Sete, për të cilin thonë se jep një vlerësim të fryrë të numrit të vizitorëve të ardhshëm dhe një nënvlerësim të kostove të ndërtimit përpara Lojërave Olimpike të Parisit. Mëngjesin e së hënës vizitorët qëndruan jashtë barrierave të terrenit të kullës përpara një ekrani gjigant që shpallte grevën.
Për disa turistë kjo është mënyra e duhur për të shprehur pakënaqësitë por disa të tjerë janë shprehur të zhgënjyer duke e quajtur sjellje të turpshme për Parisin i cili mirëpret gjashtë milionë vizitorë çdo vit.
Në një deklaratë të përbashkët, sindikatat i bënë thirrje qytetit të Parisit të jetë i arsyeshëm me kërkesat e tyre financiare. Kjo është greva e dytë që prek Kullën Eiffel brenda dy muajve për të njëjtën arsye.