Një aksident i rëndë është shënuar rreth orës 13:00 në qytetin e Burrelit. Një automjet tip ‘Benz’ përplasi 4 persona në vendin e quajtur ‘ish grumbullimi’. Sipas policisë dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga ku fillimisht është përplasur me koshin e mbeturinave dhe ka marrë përpara katër personat që ndodheshin në trotuar, duke i plagosur rëndë.
Pasi ka shkaktuar aksidentin, policia njoftoi se drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është bërë e mundur kapja e tij vetëm 1 orë pas aksidentit. Në pranga ka rënë shtetasi 28-vjeçari Y.Xh., dhe ka shoqëruar shtetasin A.B., i cili e ndihmoi shoferin 28-vjeçar për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Katër të plagosurit, mes tyre një fëmijë janë dërguar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa personi i katërt i cili është shofer i mjetit të pastrimit të Bashkisë dhe në atë moment po ndërronte gomën e mjetit, po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Burrelit.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit të rëndë, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte mjeti tip ‘Benz’.