Rreth 46 mijë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin sot kryebashkiakun e Kukësit. Në garë janë Emri Vata i “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj i Partisë Socialiste.
KQZ ka shpërndarë materialet zgjedhore në 74 Qendra Votimi dhe do të jetë i mundur identifikimi elektronik. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Emri Vata, i zgjedhur nëpërmjet procesit të primareve vjen nga radhët e policisë, ku ka mbajtur dhe poste drejtuese. Vata njihet edhe si drejtuesi i operacionit që arrestoi Klement Balilin për herë të parë në vitin 2006.
Ndërsa Albert Halilaj ka mbajtur postin e prefektit të qarkut të Kukësit, dhe më herët kaq qenë në krye të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Kukës.
Në Kukës, do të ketë vetëm identifikim elektronik. Ndërsa qytetarët do të votojnë vetëm në një fletë votimi, ku numrin 1 e mban kandidati i Partisë Socialiste, ndërsa numrin 2 e mban ai i “Bashkë Fitojmë”.
Kjo garë solli përplasjen e radhës mes grupimeve të Partisë Demokratike, të cilët kërkuan shumicën e administratës zgjedhore në qendrat e votimit. Ndonëse Ilirjan Celibashi vendosi për t’i dhënë 2 anëtarë koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Kolegji Zgjedhor e rrëzoi një vendim të tillë duke favorizuar Lulzim Bashën. Por pavarësisht kësaj beteje në KQZ, Lulzim Basha nuk ka një kandidat. Partia Demokratike vendosi të regjistrohet në zgjedhje por jo të futej në garë.
Rezultati i votimeve sot do të tregojë nëse kuksianët do ta ndëshkojnë Partinë Socialiste, apo do t’i japin një mundësi të dytë pas skandalit të ish-kryebashkiakut Safet Gjici.