Mbahen sot zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike. Demokratët do t’i drejtohen 71 qendrave të votimit, sipas degëve të PD-së. Qendrat e votimit do të qëndrojnë hapur nga ora 8:00 deri në 19:00. Ashtu siç është bërë e ditur, në këtë proces garojnë dy kandidatë, ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe Gjergj Hani, ish-i përndjekur politik.
Grupi i demokratëve që mban vulën e PD-së ka hartuar një listë të re të anëtarëve të partisë ku janë përfshirë 25 mijë demokratë, krahasuar me 75 mijë anëtarë që ka pasur kjo parti në qershorin e vitit 2021 kur Lulzim Basha mori mandatin e tretë në krye të partisë.
Bardhi dy ditë më parë mblodhi Këshillin Kombëtar dhe vendosi anulimin e zgjedhjeve të së shtunës. Por, kreu i Komisionit Zgjedhor në PD, Jemin Gjana shprehet se gjithçka është gati për ditën e sotme. Por, grupimi i Gazment Bardhit nuk u ndal me kaq, por kërkoi në gjykatë çregjistrimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së. Kjo lëvizje erdhi një ditë para zgjedhjeve. Ish-kreu i PD-së, i cili u rikthye pas disa muajsh në politikë pas dorëheqjes nga posti i kryetarit, në daljet e tij publike dhe gjatë takimeve me demokratët i ka mëshuar shumë disa planeve që ai ka synim që t’i zbatojë si parti, siç është vettingu në politikë.