Vizita e Bill Klinton ditën e sotme në Tiranë, duket se do të ‘paralizojë’ një pjesë të mirë të kryeqytetit. Policia ditën e sotme ka publikuar masat të cilat synojnë të garantojnë sigurinë e vizitës së ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Policia ju ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të përdorin rrugën dytësore nga Vora për të qarkulluar në drejtim të aeroportit të Rinasit. Nga ora 14:00 deri në orën 15:30 do bllokohet rruga Rinasi-Qafa e Kasharit-Mbikalimi tek Casa Italia- ish sheshi “Shqiponja”. Blutë theksojnë që të njëjtat rrugë do të jenë të bllokuar edhe më datë 4 korrik, ditë kur Bill Klinton do të largohet nga Shqipëria.
Të bllokuara do të jenë edhe rrugët “Ismail Qemali”, rruga “Papa Gjon Pali II”, rruga “Ibrahim Rugova” dhe rruga “Ukraina e Lirë”.
Policia ka kërkuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për të respektuar masat e ndërmarra për vizitën historike të Klinton.