Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka folur për një marrëveshje të arritur me Bankën Qendrore Europiane për mbrojtjen e monedhave nga falsifikimi. Sipas kësaj marrëveshjeje do të nisë puna për të dënuar të gjithë ata që falsifikojnë monedhat dhe kartmonedhat. Kjo marrëveshje e shtrin veprimin e saj jo vetëm mbi monedhën kombëtare Lek, por edhe mbi monedhën e përbashkët evropiane Euro. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Bankën Qendrore Evropiane për shkëmbimin e informacionit në fushën e mbrojtjes së kartëmonedhës Euro nga falsifikimi.
‘Pavarësisht shifrave të ulëta, ne jemi të vetëdijshëm se duhet të jemi më vigjilentë dhe proaktivë, pasi falsifikuesit përpiqen të ecin gjithashtu me hapin e teknologjive të reja për aktivitetet e tyre kriminale. Në këtë frymë, Banka e Shqipërisë, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruajnë sot këtë marrëveshje bashkëpunimi, si një përpjekje e mëtejshme për të forcuar kuadrin institucional dhe për të qartësuar protokollet operacionale të bashkëpunimit, në fushën e mbrojtjes së monedhave kundër falsifikimit’, tha Gent Sejko.