Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sot në Bruksel për t’i thënë po një marrëveshjeje të mbështetur nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tashmë e kanë pranuar në parim një propozim evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili nuk parashikon njohje të ndërsjellë, por përfshinë përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.
Mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar thirrjet për marrëveshje dhe presin përparim në takimin e ditës së sotme.