Afrika e Jugut do të niste të premten një stërvitje rutinë të përbashkët ushtarake 10-ditore me Rusinë dhe Kinën përgjatë bregdetit të saj lindor mes kritikave brenda dhe jashtë vendit.
Stërvitjet – vetëm disa ditë përpara se Moska të shënojë një vit nga pushtimi i saj në Ukrainë – janë kritikuar si të barabarta me miratimin e sulmit të Kremlinit ndaj fqinjit të tij.
Një fregatë ushtarake ruse u ankorua në portin e Cape Town në fillim të kësaj jave për atë që një diplomat rus e quajti “mbushje me karburant” në rrugën e saj për në Durban.
Stërvitjet, të quajtura “Mosi” që do të thotë “tym” në gjuhën lokale tswana, janë planifikuar të zhvillohen midis 17 dhe 27 shkurtit jashtë qyteteve portuale të Durban dhe gjirin e Richards.
Ato janë të dytat në një seri stërvitjesh rutinë që Pretoria pret me vende të huaja, përfshirë Rusinë.
Megjithatë, e fundit do të përkojë me përvjetorin e parë të pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt.
Më shumë se 350 anëtarë të forcave të armatosura të Afrikës së Jugut do të marrin pjesë në stërvitje “me qëllim të ndarjes së aftësive dhe njohurive operacionale” me Rusinë dhe Kinën, tha ushtria muajin e kaluar.
Afrika e Jugut ka refuzuar të dënojë pushtimin e Ukrainës që ka izoluar kryesisht Moskën në skenën ndërkombëtare, duke thënë se dëshiron të qëndrojë neutrale dhe preferon dialogun për t’i dhënë fund luftës.