Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka hartuar dhe ka nxjerrë për konsultim publik projektrrregulloren “Për Kriteret e Transparencës në Lidhje me Informacionin e Shoqërive të Listuara”. Projektrregullorja, në kuadër të harmonizimit me legjislacionin evropian, është përafruar me Direktivën 2004/109/EC të Parlamentit dhe Këshillit Evropian.
Kjo rregullore është hartuar në kuadër të mirëfunksionimit të tregut të rregulluar, ku tashmë me plotësimin e bazës ligjore dhe të infrastrukturës së tregtimit dhe pastregtimit, shoqëritë e regjistruara në Shqipëri kanë mundësinë t’i ofrojnë tituj ose aksione publikut të gjerë.
Në thelb të mirëfunksionimit të këtij tregu është transparenca, dhënia e një informacioni të saktë, koherent dhe gjithëpërfshirës nga shoqëritë e listuara. Bazuar në këtë informacion, investitorët mund të bëjnë një vlerësim të informuar të performancës së biznesit dhe aseteve të shoqërive përpara se të vendosin të investojnë.
Emetuesit, titujt e të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar, duhet të sigurojnë transparencën e duhur për investitorët përmes një fluksi të rregullt informacioni. Për këtë arsye është i rëndësishëm raportimi i informacionit në mënyrë periodike dhe të vazhdueshme prej tyre.
Në këtë drejtim, rregullorja e transparencës përcakton kriteret për dhënien e informacionit periodik dhe të vazhdueshëm nga Shoqëritë e Listuara, si:
-mënyrën dhe formën e dhënies së informacionit nga shoqëritë e listuara, për të siguruar transparencën e duhur përmes informacionit të rregulluar,
-afatet për publikimin e informacionit dhe
-formën dhe përmbajtjen e raporteve vjetore të shoqërive të listuara.
Në kuadër të dhënies së një informacioni periodik dhe të vazhdueshëm, shoqëritë e listuara duhet të deklarojnë:
- Raportet financiare vjetore periodike, raportet financiare gjashtëmujore, si dhe raportet e ndërmjetme të administratorit
- Informacione që kanë ndikim mbi çmimet e titujve, si p.sh:
- Informacion për pjesëmarrjet e rëndësishme në kapital
- informacione për mbajtësit e titujve të pranuar për tregtim në një treg të rregulluar të Republikës së Shqipërisë,
- informacione të privilegjuara,
- informacione mbi transaksionet e drejtuesve,
- Informacion të përcaktuar nga bursa, për të mbrojtur investitorin dhe funksionimin efektiv të tregut, që bëhet publik kur kërkohet nga bursa.
Shoqëritë e listuara raportojnë mbi këto të dhëna bazuar në disa formate standarde të paraqitura në këtë rregullore. Çdo shoqëri ka detyrim të raportojë pasqyrat financiare bazuar në standardet ndërkombëtare të kontabilitetit. Të gjitha të dhënat e shoqërive do të ruhen në një databazë qendrore që ofron cilësi në sigurinë e sistemit, besueshmërinë e burimit të informacionit, regjistrimin në kohën e duhur dhe lehtësinë në akses nga përdoruesit.
Rregullorja thekson rëndësinë e dhënies së informacioneve për pjesëmarrjet e rëndësishme në kapital, pasi këto informacione mund të ndikojnë çmimin e titujve.
-Në këtë drejtim, çdo aksionar, i cili blen ose shet aksionet e emetuesit, aksionet e të cilit janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar, duhet të njoftojnë menjëherë emetuesin për pjesën e të drejtave të votës që zotëron nga kjo blerje/shitje, kur kjo pjesë arrin, tejkalon ose është nën kufirin prej 10%, 30%, 50% dhe 75%.
-Gjithashtu, edhe emetuesi ka detyrimin të raportojë nëse blen apo shet aksionet e veta të cilat janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar, kur kjo pjesë arrin, tejkalon ose është nën kufirin prej 10% i të drejtave të votimit.
Pas marrjes së informacionit nga aksionari, emetuesi e publikon atë në mënyrë që të aksesohet nga publiku. /monitor