Lista Serbe e vlerësuar si partia kryesore e serbëve në Kosovë tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e shpallura për katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Njoftimi vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.
Kryetarët e këtyre komunave që të gjithë nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe. Lista Serbe tha të martën se as subjekti, as qytetarët që e mbështesin atë -“mbi 95% e të cilëve janë në këto zona” – nuk do të dalin në zgjedhje.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, nga 31.533 votuesit që kanë marrë pjesë në katër komunat në veri, 28.517 kanë votuar për Listën Serbe.
Misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian ka thënë atëbotë se Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës dhe, sipas tij, ka pasur raste të kërcënimit dhe presioneve mbi votuesit.