Koha e fluturimit nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas do të shkurtohet, në rast të hapjes së korridorit ajror me Shqipërinë.
Me shkurtimin e kohës – deri në 30 minuta për vajtje-ardhje – do të ulet edhe çmimi i biletave, thotë për Radion Evropa e Lirë Albion Idrizi, mjeshtër i aviacionit.
Aktualisht, thotë ai, çmimi mesatar i një bilete një vajtjeje nga Kosova për në të gjitha vendet e BE-së është 140 euro.
Me shkurtimin e fluturimit, ky çmim mund të bjerë deri në 6 për qind, apo 8 euro, thotë Idrizi, një sipërmarrës në fushën e udhëtimeve dhe turizmit në Kroaci dhe Kosovë.
Që nga periudha e pasluftës, në vitin 1999, fluturimet drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kryhen vetëm përmes korridorit ajror që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja me Shqipërinë për shfrytëzimin e korridorit ajror të këtij vendi u arrit në vitin 2020.
Kjo marrëveshje parashikonte hapjen e dy pikave të koordinimit ajror, por nuk u zbatua kurrë.