Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian do të diskutoi sot, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën. Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Franca, megjithatë ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.
Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.
Që nga diskutimi i fundit në grupin punues të BE-së ka pasur disa konsultime bilaterale mes shteteve anëtare. Disa prej tyre kanë pasur biseda edhe me autoritetet e Kosovës. Burimet brenda BE-së rikujtojnë se në këtë nivel të grupit punues përafrohen qëndrimet mes vendeve anëtare, por nuk miratohen vendime. Siç mëson Radio Evropa e Lirë, kundërshtimet më të mëdha mes vendeve anëtare kanë të bëjnë me lidhjen e liberalizimit të vizave për Kosovën me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.
Shumë shtete, përfshirë Gjermaninë, janë kundër këtij kushtëzimi, duke e cilësuar jo vetëm si të padrejtë, por edhe të panevojshëm, pasi sipas tyre, Kosova nuk mund të ketë asnjë ndikim në çështjen e funksionalizimit të këtij sistemi.
Çekia, e cila aktualisht udhëheq presidencën e BE-së, ka shpërndarë javën e kaluar një “dokument ndërinstitucional”, ku është përfshirë edhe kërkesa e Francës, e paraqitur në takimin e parë.
Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi të liberalizimit, të përmbyllë marrëveshjen për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tillë, si dhe ta përshtatë edhe më tej politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian.
“Heqja e vizave do të vlejë vetëm për bartësit e pasaportave biometrike, të lëshuara në përputhje me standardet e Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), dhe nuk do të zbatohet deri në nisjen efektive të operimit të ETIAS-it”, është formulimi i ri i tekstit të propozimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Gjithashtu është përforcuar edhe kërkesa ndaj Kosovës për sigurimin e menaxhimit të mirë të migracionit./ REL