Çmimet e naftës kanë arritur që të kapin vlerat përpara se agresioni rus në Ukrainë të niste. Nafta në bursën e Londrës u hap me çmimin 92 dollarë për fuci , ndërsa nafta në bursën amerikane arriti në 86 dollarë për fuci , çmime këto të cilat ishin të njëjta me janarin e këtij viti.
Rënia e naftës në bursë vjen edhe pas fjalimit të presidentit kinez Xi Jingping ku u zotua për të vazhduar politikën “Zero Covid” që e paraqiti që me fillimin e pandemisë. Kjo sinjalizoi kërkesë të ulët për naftë nga një prej industrive më të mëdha të botës, ndikues kryesor në luhatjen e çmimeve.
Pekini gjithashtu do të rrisë shumë kapacitetin e furnizimit me energji vendase, duke përfshirë qymyrin, naftën dhe gazin dhe energjinë elektrike. Sipas ekspertëve rikthimi i këtyre çmimeve në periudhën e para-luftës në Ukrainë tregon se bota tanimë kaloi rrezikun pas vendimit të OPEC për të shkurtuar prodhimin e naftës me 2 milion fuci në ditë.
Arabia Saudite si prodhuesi më i madh vendosi të heqë nga tregu një sasi të konsiderueshme ditore, duke argumentuar se ka për qëllim të mbajë çmimin në nivele të arsyeshme si për prodhuesit ashtu edhe për konsumatorët.