Kuvendi ka votuar kundër dërgimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim, ashtu siç kjo e fundit ka urdhëruar që me vendimin e janarit 2023. Nga foltorja e Kuvendit, vetë deputetja Xhaçka sqaroi pozicionin e saj dhe hodhi poshtë akuzat e opozitës për konflikt interesi lidhur me statusin që ka marrë bashkëshorti i saj Artan Gaçi fillimin e vitit 2022 për ndërtimin e një resorti në Dhërmi.
Xhaçka e bëri të qartë se bëhet fjalë për një status të investitorit të asistuar që ndryshon shumë sipas saj nga ata investitorë strategjikë të veçantë.
‘Unë dhe familja ime nuk kemi përfituara asnjë qindarkë nga fondet publike, zero! Asnjë m2 tokë publike zero! Asnjë lehtësi proceduriale të ndryshme nga të gjithë të tjerët. Zero! E dini se çfarë është përfitimi nga statusi I investitorit strategjik të asistuar. Se nuk është aspak I barabartë me atë të investitorit strategjik që thoni ju. Përfitim që në çdo rast, ligjërisht nuk i atribuohet fare drejtpërdrejt bashkëshortin tim në hoteleri që kurrë mos u bëftë, pas baltës së pamerituar që solli në jetën tonë, por kompanisë që në një të ardhme do të menaxhojë aktivitetin. Vetëm e drejta për tu trajtuar me prioritet për lidhjen e njërës prej 1500 kontratave të përvitshme të qirasë për sipërfaqen e plazhit para hotelit. A lejohet potencialisht kur të kryhet investimi, kur të lidhet kontrata që mund të mos ndodhë kurrë, të vërë apo të mos vërë shezllonë në plazh. Jam e bindur që gjysma e sallës me këtë intepretim ligjor është në papajtueshmëri të mandatit’, tha Xhaçka.