Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi me rastin e nisjes së vitit të ri akademik, u është drejtuar studentëve dhe pedagogëve.
Kjo, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.
“Veçanërisht ju që uleni për herë të parë në auditoret e universiteteve, ju përgëzoj që pas përfundimit me sukses të shkollës së mesme, keni zgjedhur të hidhni hapa të mëtejshëm në rrugëtimin drejt dijes, një rrugëtim i gjatë sa vetë jeta. Ky vit i ri akademik përkon me një situatë të vështirë, kur e gjithë bota, përfshirë edhe Shqipërinë, po vuan pasojat e një krize të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për të mbështetur çdo familje, përfshirë edhe familjet tuaja, për të zbutur sa më shumë efektet e krizës së çmimeve. Por mbështetja jonë për ju nuk ndalet këtu. Këtë vit kemi ofruar përjashtim nga tarifat dhe bursa mujore me vlerë sa paga minimale për studentët që zgjedhin programet prioritare, ata që kanë rezultate të shkëlqyera, si dhe studentët fitues në olimpiada ndërkombëtare.
Ndërkohë, po vazhdojmë pa u ndalur punën dhe investimet për përmirësimin e kushteve të akomodimit në rezidencat studentore, si në kryeqytet ashtu edhe në qytete të tjera universitare. Kemi forcuar bashkëpunimin edhe me bashkitë, vetë universitetet dhe donatorë të ndryshëm, që infrastruktura universitare kudo në Shqipëri të ofrojë standardet më të mira bashkëkohore”.
Kushi ndalet edhe tek pedagogët të cilëve u kujton se mbështetja e qeverisë edhe për ta do të vijojë pa u ndalur.