Senati amerikan miratoi dy ditë më parë kandidaturën e diplomatit David Kostelancik si ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Më 1 maj pritet që David J. Kostelancik të marrë edhe emërimin e fundit.
I emëruari i presidentit amerikan Joe Biden, ka parashtruar përballë Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan, të gjitha përparësitë e tij si ambasador, në mandatin që e pret.
Thelbi për të, mbetet tek forcimi i institucioneve demokratike dhe atyre të drejtësisë në vend, si parësore të dyja për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Kjo gjë, është përcaktuar më parë edhe nga presidenti Biden, si një përparësi për strategjinë kombëtare lidhur me Shqipërinë.
“Kjo është një sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përparimi i reformës në drejtësi do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian”, deklaroi Kostelancik.
Sipas tij, një nga sektorët e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve, do të jetë forcimi i mëtejshëm i partneritetit në mbrojtje.
Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në vitin 2022, tregoi nevojën për të investuar në infrastrukturë dhe trajnime dhe për të ndërtuar një sistem kibernetik të qëndrueshëm, vërejti ai.
Shtetet e Bashkuara, vijoi më tej diplomati, kanë dërguar ekspertë në Shqipëri për të riparuar dëmet e bëra dhe kanë ofruar 50 milionë dollarë për këtë qëllim.
Ndërkohë që, një përparësi, do të jetë edhe forcimi i klimës së biznesit në vend.
Dy muaj më parë, kur ai u përcaktua nga Biden, Kostelancik u shpreh i nderuar për postin ku është emëruar.
“I nderuar që jam nominuar sot nga Presidenti Biden si ambasadori i ardhshëm i SHBA-së në Republikën e Shqipërisë”, shkroi ai më 24 janar 2023, në platformën Linkedin.
Kjo nuk do të jetë detyra e tij e parë në Shqipëri, pasi Kostelancik ka shërbyer në ambasadën amerikane në Shqipëri në fillim të viteve ’90, në zyrën politike.
Ai aktualisht shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneral Mark Milley.
Më herë ka mbajtur postin e Shefit të Misionit dhe për dy vjet, si i Ngarkuar me Punë i përkohshëm në Ambasadën e SHBA-së në Budapest të Hungarisë.
Ai ka mbajtur gjithashtu pozicionet e Drejtorit të Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore Qendrore dhe Drejtorit të Zyrës për Çështjet Ruse, në Byronë për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë si dhe të Drejtorit të Zyrës së Evropës dhe Azisë në Byronë Ndërkombëtare për Çështjet e Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit.
Kostelancik ka shërbyer gjithashtu dy herë në Ambasadën amerikane në Moskë.
Ai ka shërbyer edhe në misionet e SHBA-ve në OSBE dhe NATO e në Ankara të Turqisë.
Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti.
Ai ka gjithashtu dy diploma master nga Kolegji Kombëtar i Luftës, dhe Universiteti i Michigan-it. Diplomati flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.