Opinioni publik u trondit pak ditë më parë nga një ngjarje e rëndë. Një vajzë 26-vjeçare në qytetin e Vlorës u detyrua të kryejë marrëdhënie seksuale nga 4 djem të cilët e droguan për të shfryrë kënaqësinë dhe epshin.
Pavarësisht së vërtetës, në rrjet vërshuan një seri komentesh që shigjetonin vajzën se kishte shkuar me dëshirë, se i kishte provokuar, apo akoma më keq duke e etiketuar edhe si ku*rvë. Ajo vajzë po kalon akoma traumën që lë përdhunimi dhe e ka të vështirë që ta bërtasë të vërtetën pa u dridhur. Kjo sepse disa burracakë (se burra s’i quajmë dot) e droguan, e zhveshën, e shfrytëzuan derisa kënaqësia e tyre u shua dhe më pas thanë së ishte ajo që kishte abuzuar me ta.
Sa qesharake! E kush është ajo femër që përdhunohet dhe thotë se u argëtua? Të gjykosh pa ditur rrethanat e ngjarjes është gjëja më e thjeshtë dhe pozita më komode që mund të marrësh, kur bëhet fjalë për trauma që mbeten të pashërueshme.
Një video e bëre publike ku shfaqej vajza që tërhiqej drejt dhomës së hotelit nga një djalë, u shpërnda nëpër portale dhe ngjalli shumë reagime, disa prej të cilave tregonin se sa shoqëri maskiliste jemi në disa raste.
Dikush thoshte “kur del në 3 te natës e zhveshur ça pret”. Një tjetër shkruante “hera e parë është e vështirë pastaj mësohesh”. E një tjetër komentonte duke u zotuar se do bënte të njëjtën gjë me “çunat e vetë”.
Po sikur ajo vajzë të ishte motra juaj, sa krenarë do të ndjeheshit për ato komente? Po sikur t’ia bënin atë gjë vajzës tuaj, a do rrokeshit të flisnim me vrull për nder e turp kur ajo vajzë u përdhunua duke u droguar? Po të ishte djali juaj ai që abuzoi me 26-vjeçaren a do kishit guximin ta pështynit në fytyrë dhe me duart tuaja ta çonit më polici, apo do tentonit ta fshihnit e të kërcënonin viktimën? Se fundja jemi mësuar me refrenin “djali lahet me një gotë ujë”.
Jo. Askush nuk ka të drejtë të detyrojë një femër të kryejë pa dëshirën e saj marrëdhënie intime apo qoftë edhe një akt të çfarëdoshëm pa e aprovuar vetë ajo. Gjykimi jep atëherë kur ngjarja është zbardhur dhe ka dalë konkluzioni. Askush nga ne “spektatorët” nuk e ka të drejtën të hedhë baltë mbi dinjitetin e një personi, aq më tepër të një vajzë të abuzuar që me gjysmë zëri, e trembur, do të dënojë burracakët që e abuzuan.
Mësoni të shihni përtej perdes, të dëgjoni të vërtetat dhe të mos gjykoji se sa e zhveshur është një vajzë, sa të dashur ka pasur, kur del nga shtëpia. Sepse ndoshta një ditë do të gjykoheni edhe ju ashtu siç keni bëre me të, ose edhe më keq.