Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Lajla Përnaska do të garojë për Bashkinë e Tiranës duke zyrtarizuar rikthimin e saj në politikë pas 10 vitesh.
“Rruga e vetme për të dhënë një kontribut real është kandidimi për kreun e Bashkisë së Tiranës. Sigla është çështje teknike, për mua nuk ka rëndësi sigla. Për mua ka rëndësi impenjimi, përgjegjësia dhe në respektim të rregullave dhe sistemit që kemi në fuqi, ne të japim kontribut”, u shpreh ajo.
Ish-anëtarja e Komisionit Parlamentar të Punëve të Jashtme shtoi se është e gatshme që të japë kontributin e saj për Tiranën.
“E njoh shumë mirë Tiranën dhe problematikat e saj”, nënvizoi Përnaska.
Partia Demokratike zgjodhi deputetin Belind Këlliçi si kandidat zyrtar përballë kryebashkiakut aktual Erion Veliaj për Bashkinë e Tiranës.
Mbetet për t’u parë nëse ish-deputetja demokrate do të kandidojë në këtë garë si kandidate e pavarur.
CV
Lajla Pernaska ka lindur më 14 qershor të vitit 1961.
Ajo është specialiste me nivel të gjerë njohurish dhe eksperiencë në ligjvënie, politikbërje, planifikim, hartim, zbatim, monitorim dhe vlerësim të programeve/projekteve, në fushën e Shëndetit Publik, barazisë gjinore dhe çështjet sociale.
Përnaska ka qenë e angazhuar në punën për reformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, përgatitjen e strategjive dhe politikave shëndetësore, që prej vitit 1995.
Ajo ka qenë anëtare e Kuvendit te Shqipërisë nga vitit 2005 deri në vitin 2013.
Përnaska ka mbajtur postin e zëvendës presidentes të Grupit PPE (Partitë Popullore Europiane), Këshilli i Evropës nga viti 2009 deri në vitin 2013.
Prej vitit 2016 ajo punon si ambasadore e Markës Shqiptare të Modës ONUS.