Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmytro Kuleba deklaroi se ka pasur 17 raste të ambasadave që kanë marrë letra bomba ose letra me pjesë kafshësh, si sytë e lopës dhe derrit.
Këtë ai e ka thënë në një intervistë për CNN.
“Kjo fushatë synon të mbjellë frikë dhe të frikësojë diplomatët ukrainas,” tha Kuleba.
Kanali amerikan raportoi se korrespondentit të tij në Kiev iu shfaq një imazh i një prej letrave që përmbante, sipas zyrtarëve, një kokërrdhok derri brenda një zarfi të butë.
“Gjithçka nisi me shpërthimin në ambasadën e Ukrainës në Spanjë. Por ajo që pasoi këtë shpërthim ishte më e çuditshme dhe madje do të thosha e sëmurë”, tha Kuleba.
I pyetur se kush, sipas tij, qëndron pas këtyre letrave, ministri u përgjigj: “Jam tunduar të emëroj Rusinë menjëherë, sepse para së gjithash duhet t’i përgjigjeni pyetjes, kush përfiton?”.
“Ndoshta ky terror është përgjigja e Rusisë ndaj terrorit diplomatik që kemi krijuar për Rusinë në skenën ndërkombëtare, dhe kështu ata po përpiqen të luftojnë duke humbur betejat e vërteta diplomatike njëra pas tjetrës”, tha ai.
Kuleba shtoi se, sipas tij, Rusia është ose drejtpërdrejt përgjegjëse ose dikush “që simpatizon dhe përpiqet të mbjellë frikë”.
“Hetuesit do të dalin në një përfundim, por unë mendoj se këto dy versione kanë më shumë kuptim”, tha ai.
Më herët të premten, Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës njoftoi se pas sulmit terrorist në Spanjë, pako të përgjakshme u dërguan në ambasadat në Hungari, Holandë, Poloni, Kroaci, Itali, konsullatat e përgjithshme në Napoli dhe Krakov, si dhe konsullata në Brno.
Në pako kishte sy kafshësh, dhe vetë pakot ishin të zhytura në një lëng me ngjyrë karakteristike dhe kishin një erë përkatëse.