Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland emëroi të premten zotin Jack Smith si prokuror të posaçëm për të mbikëqyrur hetimin e Departamentit të Drejtësisë për praninë e dokumenteve sekrete në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida. Ai do të merret gjithashtu edhe me hetimin e veçantë që përfshin sulmin e 6 janarit 2021 mbi Kapitolin dhe përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Ky vendim u publikua vetëm tre ditë pasi zoti Trump shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale që do mbahen më 2024.
Megjithëse emërimi vendos një mbikëqyrës të ri në krye të hetimeve, të dyja rastet pritet të përshpejtohen tani që zgjedhjet e mesmandatit kanë përfunduar. Prokurori i posaçëm do t’i raportojë prokurorit të përgjithshëm Garland, i cili ka fjalën përfundimtare nëse do të ngrejë akuza.
Pas emërimit, zoti Smith tha se synon të “kryej hetimet e caktuara dhe çdo ndjekje penale që mund të dalë prej tyre, në mënyrë të pavarur dhe sipas traditave më të mira të Departamentit të Drejtësisë. Ritmi i hetimeve nuk do të ndalohet apo ngadalësohet nën vëzhgimin tim”.
Jack Smith, është prokuror veteran që drejtoi seksionin e integritetit publik të Departamentit të Drejtësisë në Uashington dhe më vonë shërbeu si kryeprokuror federal në Nashville, Tenesi, gjatë administratës së presidentit Barack Obama.
Së fundmi, ai ka qenë kryeprokuror i Prokurorisë së Posaçme në Hagë që heton krimet që dyshohet se u kryen nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë dhe pas luftës.