Siç ishte njoftuar, kryeministri Edi Rama ka folur sot në lidhje me votimin e Kuvendit që i hapi rrugë arrestimit të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.
Në fjalën e tij, Rama deklaroi se të gjithë bëjnë zgjedhjet e tyre dhe se nuk ndan përgjegjësinë me askënd që ngatërron rrugën dhe punon për shtetin e xhepin njëkohësisht.
Kryeministri i drejtoi një mesazh edhe opozitës, për të cilën tha se është armike e reformës në drejtësi dhe turpi i këtij vendi.
“Ndjesia lënduese herë e zhgënjimit dhe befasisë është e fortë dhe vështirësia e tretjes së saj është e madhe. Të gjithë bëjmë zgjedhjet tona dhe zgjedhja ime nuk ndryshon dot në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, ndaj e përsëris sot atë që kam stërthënë shumë herë që ditën e parë që kam hyrë në këtë godinë. Kush e ngatërron rrugën e përbashkët me një rrugë ku bën dy punë, edhe për shtetin edhe për xhepin merr një përgjegjësi që nuk e ndan as me mua, as me ne, por që duhet ta ndajë kur del para pasqyrës, me Zotin ose kur del edhe para drejtësisë. Unë nuk zgjedh asnjë bashkëpunëtor për të mos e lëshuar, kur ai lëshon veten nga rruga e përbashkët.
Ndërsa të tjerëve që njihen si armiq të reformës në drejtësi, që janë në një garë të ethshme për gjak, për baltosjen tonë, u them se i mëshiroj për ulësinë e qenies së tyre dhe pres me padurim gjylet e baltës së tyre. Ata që duhet të ishin opozita e këtij vendi janë turpi i këtij vendi dhe nuk habisin më askënd.
Janë gjithnjë e më të humbur e të vrerosur në peshën e tyre. Kjo nuk është dita për të thënë dobësitë e organeve të drejtësisë, apo për të shprehur shqetësimet për ta. Ky det nuk kalohet pa u lagur edhe vetë”, – u shpreh kryeminstri Rama.