Ministri i Jashtëm i Tajvanit, Joseph Wu, ka paralajmëruar për një konflikt të mundshëm me Kinën në vitin 2027, duke thënë se Taipei po përgatitet për mundësinë e një sulmi.
Tajvani po përpiqet të forcojë mbështetjen perëndimore përpara një pushtimi të mundshëm kinez, raportoi Guardian të shtunën.
Wu tha për radion LBC të Britanisë se Tajvani e merr shumë seriozisht kërcënimin ushtarak kinez.
Wu bëri një analogji midis Kinës dhe Rusisë, duke thënë se bota nuk i ka marrë seriozisht qëndrimet agresive të Rusisë në të kaluarën.
“Ne nuk e penguam Rusinë të merrte Krimenë. Dhe rusët u inkurajuan të vazhdonin dhe të fillonin një luftë kundër Ukrainës. Ne nuk e ndaluam Kinën të impononte një ligj për sigurinë kombëtare në Hong Kong. Dhe njerëzit pyesnin: A do të jetë Tajvani i radhës? Tani Tajvani po e ndjen gjithë këtë presion”, theksoi Wu.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane besojnë se presidenti kinez Xi Jinping ka urdhëruar ushtrinë e vendit të jetë gati deri në vitin 2027 për të aneksuar Tajvanin.
Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang tha të shtunën se të dyja anët e ngushticës së Tajvanit i përkasin Kinës dhe se “ata që luajnë me zjarrin në Tajvan përfundimisht do të digjen”.
Disa zyrtarë amerikanë besojnë se konflikti mund të shpërthejë edhe më herët.
Kreu i Komandës Indo-Paqësorit të SHBA-së, Admirali John Aquilino, i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve të martën se “të gjithë po hamendësojnë” kur bëhet fjalë për parashikimin e afatit kohor për një konflikt midis Kinës dhe Tajvanit.