Çmimet e larta të mallrave po ndikojnë në rënien e volumeve tregtare, sidomos importeve, ndërsa individët duken të “pashqetësuar”, teksa udhëtimet përmes ajrit dhe detit po rriten me ritme të larta, pas kufizimeve të pandemisë.
Rritjen më të fortë e kanë shënuar udhëtimet e pasagjerëve nga ajri që pothuajse janë trefishuar në 6 mujorin e parë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në krahasim me vitin 2019, që deri tani ishte më i miri për udhëtimet ajrore, janë rritur me 48%.
Sipas INSTAT, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte, në muajin Qershor 2022 është 307,8 mijë tonë, duke u ulur me 25,3%, krahasuar me Qershor 2021. Burime nga Porti i Durrësit bënë të ditur se në qershor nuk ka pasur asnjë zhdoganim të anijeve me grurë, ndërsa rritja e fortë e çmimeve të materialeve të ndërtimit ka frenuar disi importet e tyre.
Në muajin Qershor 2022, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë është 1.718 mijë tonë- kilometër, duke u ulur me 15,0%, krahasuar me Qershor 2021.
Volumi i mallrave të transportuar me ajër është 163,9 tonë, duke u rritur me 4,1 % në krahasim me Qershor 2021.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, volumi i mallrave të ngarkuara/shkarkuara në porte është 2.079,5 mijë tonë, duke u ulur me 11,3%, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2021
Volumi i mallrave të transportuar me hekurudhë është 10.075 mijë tonë-kilometër, duke u ulur me 32,6%, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2021.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, volumi i mallrave të transportuar me ajër është 981,3 tonë, duke u rritur me 1,8%, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2021.
Rriten ndjeshëm numri i pasagjerëve nga deti, trefishohet nga ajri
Në Qershor 2022, numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë detare është 103.467 pasagjerë. Krahasuar me Qershor 2021, ky tregues është rritur me 2,5 herë.
Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë hekurudhore është 1.221 pasagjerë. Krahasuar me Qershor 2021, ky tregues është ulur me 56,4%.
Në muajin Qershor 2022, transporti ajror i pasagjerëve zë 82,7% të transportit gjithsej. Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në Qershor 2022 është 500.512 pasagjerë, duke u rritur me 91,8%, krahasuar me Qershor 2021.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, kanë udhëtuar me linjë detare 344.340 pasagjerë, duke u rritur me 75,7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Numri i pasagjerëve që udhëtojnë me linjë hekurudhore është 8.847 pasagjerë, duke u rritur me 75,5%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022 është 2.098.578 pasagjerë, duke u rritur me 2,8 herë, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2021. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, që deri tani ishte më i miri për udhëtimet, rritja është 48%.