Presidenti i Bankës Botërore, David Malpass, ka njoftuar dorëheqjen në fund të qershorit, pothuajse një vit para përfundimit të mandatit të tij, pa dhënë një arsye konkrete për largimin e tij, raportojnë agjencitë.
“Katër vitet e fundit janë ndër më të rëndësishmet në karrierën time”, tha Malpass. “Pas progresit të jashtëzakonshëm dhe reflektimit të plotë, vendosa t’i drejtohem sfidave të reja”.
Malpass u emërua në pozicionin më të lartë në Bankën Botërore nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në Ministrinë e Financave të të cilit ai ishte përgjegjës për çështjet ndërkombëtare.
Presidenti në largim i Bankës Botërore ka njoftuar edhe Sekretaren e Thesarit të SHBA-së, Janet Yellen për vendimin e tij, sipas një burimi të informuar.
Në muajt e fundit, Yellen ka kërkuar nga Malpass të përshpejtojë reformat në punën e Bankës Botërore dhe muajin e kaluar ajo nuk ka dashur t’i përgjigjet pyetjes nëse SHBA do ta mbështesin mandatin e tij të dytë në krye të Bankës Botërore.
Pas njoftimit për largimin e Malpass, Yellen e falënderoi atë për punën e tij në një deklaratë zyrtare.
“Ai e ka ndihmuar botën me mbështetje të fortë për Ukrainën, e cila u përball me një pushtim të paligjshëm dhe të paprovokuar rus, punë kritike për të ndihmuar popullin e Afganistanit dhe një angazhim për të ndihmuar vendet e varfra të zvogëlojnë borxhin e tyre dhe ta bëjnë atë të qëndrueshëm,” tha Yellen.
Ministri amerikan i financave shtoi se SHBA së shpejti do të propozojë një zëvendësim për Malpass.
Është traditë e kahershme që SHBA-të zgjedhin kreun e Bankës Botërore, kurse Evropa kreun e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Kandidatët kryesorë për të pasuar Malpass janë ish-drejtori i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) Rajiv Shah dhe drejtoresha aktuale e kësaj agjencie, Samantha Power, vëren Reuters.