Raporti i kredive me probleme të sektorit bankar vijoi rënien gjatë vitit 2022 dhe e zbriti në nivelin e 5%, nga 5.65% që kishte qenë një vit më parë.
Megjithëse raporti i kredive me probleme preku nivelin më të ulët në afërsisht 15 vjet, ritmet e rënies rezultuan të ngadalësuara krahasuar me vitet e mëparshme, duke reflektuar efektet e para të inflacionit dhe rritjes së normave të interesit.
Të dhënat nga Raporti Vjetor i Mbikëqyrjes i Bankës së Shqipërisë, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se raporti i kredive me probleme ra për shumicën dërrmuese të bankave.
Banka me raportin më të ulët të kredive me probleme në fund të vitit të kaluar ishte Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank). Raporti i kredive me probleme zbriti në 2.1%, nga 4.6% që kishte qenë një vit më parë.
Shumë afër qëndron edhe Banka Intesa Sanpaolo Shqipëri, me një raport të kreidve me probleme prej 2.2%, edhe ajo në përmirësim nga niveli prej 3.7% i vitit 2021.
ProCredit Bank Shqipëri e ka ulur gjithashtu raportin e kredive me probleme në 3.1%, nga 4.4% që kishte qenë në fund të vitit 2021.
Në rënie ky raport paraqitet edhe për Bankën OTP Albania, në 3.6%, nga 4.6% që kishte qenë një vit më parë. Procesi i bashkimit me Alpha Bank nuk e ka përkeqësuar cilësinë e portofolit të kredisë.
Banka më e madhe në vend, Banka Kombëtare Tregtare, vitin e kaluar e uli raportin e kreidve me probleme në 4%, nga 4.8% ku qëndronte një vit më parë.
Banka e fundit me një raport të kreidve me probleme poshtë mesatares së sektorit bankar është Tirana Bank. Në fund të vitit 2022, raporti i kredive me probleme të Tirana Bank zbriti në 4.2%, nga 4.6% që kishte qenë një vit më parë.
Ndër bankat me një raport të kredive me probleme më të lartë se mesatarja e sektorit, e para rezulton Raiffeisen Bank Shqipëri, në nivelin 5.3%, por edhe kjo në përmirësim të ndjeshëm nga niveli prej 6.6% i vitit 2021.
Banka e Parë e Investimeve (Fibank) dhe Union Bank kanë një raport të kredive me probleme të përafërt, pranë nivelit 6.3%.
Edhe këto dy banka kanë një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2021, kur Fibank qëndronte në nivelin 7.6% dhe Union Bank në nivelin në 7.7%.
Edhe Credins Bank vazhdon të ketë një raport të kredive me probleme ndjeshëm më të lartë se mesatarja e sistemit, me 6.8%. Megjithatë, edhe Credins ka arritur ta ulë ndjeshëm këtë raport nga niveli prej 8% i vitit 2021.
E vetmja bankë që ka pësuar rritje të ndjeshme të raportit të kredive me probleme vitin e kaluar ishte Banka e Bashkuar e Shqipërisë (UBA). Ky raport u rrit në 17.6%, nga 4.6% që kishte qenë një vit më parë.
Vitin e kaluar, UBA finalizoi transferimin e kontrollit nga Banka Islamike për Zhvillim te kompania shqiptare e sigurimeve Eurosig. Ky proces mund të jetë shoqëruar, veç të tjerash, me një klasifikim më të saktë të cilësisë së portofolit të kredisë.
Raporti i kredive me probleme pjesërisht mund të ndikohet edhe nga trajtimi i kredive të këqija prej bankave.
Disa banka mund të jenë më të prirura se të tjerat për pastruar portofolet, nëpërmjet shitjes së kredive të këqija tek institucionet financiare të mbledhjes së borxhit, duke e ulur në këtë mënyrë raportin e kredive me probleme.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2022 sektori bankar shqiptar kishte kredi të këqija në vlerën e 35.7 miliardë lekëve.
Në vlerë absolute, më shumë se 70% e stokut të kreidve me probleme është e përqendruar në katër bankat me rëndësi sistemike, që zotërojnë edhe pjesën më të madhe të portofolit të kredisë për ekonominë.