Ekipi Menaxhues për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe duhet të jetë në funksion deri në momentin kur të miratohet statuti i këtij mekanizmi ka thënë Peter Stano, zëdhënësi i Bashkimit Evropian.
Stano e bëri këtë deklaratë pasi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, liroi nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të ngarkuar për hartimin e draft-statutit.
“Sa i përket vendimit të raportuar të Kosovës për shpërbërjen e ekipit menaxhues, marrëveshjet e dialogut thonë qartë se ekipi menaxhues duhet të jetë në funksion deri sa të miratohet statuti i Asociacionit/Bashkësisë për Komunat me shumicë serbe”, theksoi Stano.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpërbërjen e Ekipit Menaxhues në përbërje prej katër pjesëtarë të komunitetit serb Danijela Vujiçiç, Jelena Bolloviç, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviç, sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian shkel kompromisin dhe frymën e marrëveshjeve.
Sipas tij, çdo vendim në lidhje me ekipin menaxhues duhet të miratohet në kuadrin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja.