Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje lidhur me targat në bisedimet ndërmjet kryenegociatorëve të të dy vendeve.
“Me kënaqësi ju njoftoj se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre”, shkroi zoti Borrell.
Marrëveshja e së mërkurës pasoi një takim prej disa orësh ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç në Bruksel, me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për bisedimet ndërmjet të dy vendeve, Miroslav Lajçak.
Ajo u arrit disa orës para skadimit të shtyrjes prej 48 orësh të vendimit të qeverisë së Kosovës për gjobitjen e atyre që nuk i kanë ndërruar targat e makinave të lëshuara nga Serbia me ato të Kosovës. Shtyrja u bë me kërkesën amerikane për t’u dhënë mundësi bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.