Një raketë balistike e Koresë së Veriut ra më pak se 60 kilometra larg brigjeve të Koresë së Jugut këtë të mërkurë. Kjo është hera e parë që një raketë bie kaq pranë ujërave të Koresë së Jugut, duke çuar në paralajmërime për sulm ajror, thanë zyrtarët koreanojugorë.
Raketa ishte një nga tre raketat balistike me rreze të shkurtër të lëshuara nga zona bregdetare e Koresë së Veriut të Wonsan në det, tha Shefi i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut. Presidenti i Koresë së Jugut tha sot se testi i Koresë së Veriut ishte një “shkelje e efektshme territoriale”.
Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare ai “urdhëroi që të jepet një përgjigje e rreptë në mënyrë që Koreja e Veriut të paguajë një çmim të qartë për provokimin”, thuhet në reagimin e zyrës presidenciale të Koresë së Jugut.
Në një përgjigje të menjëhershme, Koreja e Jugut lëshoi tre raketa ajër-tokë nga avionët luftarakë këtë në mëngjes, duke synuar lëshimin në një distancë të barabartë me atë që Koreja e Veriut lëshoi raketat në territorin e Jugut.
Të hënën, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut filluan stërvitjet ushtarake të planifikuara më parë në shkallë të gjerë të quajtur “Stuhia vigjilente”.