Arben Ahmetaj dhe partnerja e tij, kanë ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e Gjykatës së Posaçme për lejimin e kontrollit të BKH në banesën e Erjola Hoxhës. Ato thonë se procedura është kryer në shkelje të ligjit, teksa e kanë cilësuar si një “akt që cenon sovranitetin e Kuvendit, Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin e Procedurës Penale”. Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka qenë i pranishëm në momentin që efektivët i kanë bastisur shtëpinë bashkëjetueses së tij Erjola Hoxhaj. Në dosjen thuhet se Ahmetaj është paraqitur në vilën në Hamallaj rreth orës 12:00 të 9 marsit.
Përmes ankimit, Ahmetaj dhe Hoxha quajnë të paligjshëm edhe kufizimin e lirisë së partneres së Ahmetajt, për rreth 1 orë e 20 minuta, gjatë kohës kur është kontrolluar banesa. Gjithashtu ata ankimojnë edhe marrjen e PIN-it të kartës SIM të telefonit të zonjës Hoxha, pa një autorizim nga ana e Gjykatës.
“Banesa është dykatëshe dhe hetuesit u ndanë në mjedise të ndryshme ndërkohë që zonja Hoxha nuk mund të ndiqte nga afër kontrollin, pasi mbikëqyrej nga hetues të tjerë. Gjatë kontrollit ajo iu nënshtrua pyetjeve provokuese të hetuesve lidhur me sendet që ndodheshin në banesë dhe mbi koston e tyre”, thuhet në dokument.
Kontrolli i parë është ushtruar në një vilë në zonën e Hamallajt, që i përket partneres së Arben Ahmetajt, ku janë sekuestruar 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë vilë. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes, rezulton se nuk janë gjetur para, por se janë marrë disa dokumente që vlerësohen të rëndësishme për hetimet.