Guvernatori i Floridës, republikani Ron DeSantis, ka shpallur privatisht synimin e tij për të kandiduar për president të Shteteve të Bashkuara, gjë që mund t’i sigurojë konkurrencë të vërtetë favoritit aktual të partisë, Donald Trump.
Për këtë shkruan Washington Post duke iu referuar dy bashkëbiseduesve të informuar.
Aleatët e Desantis presin që ai të shpallë kandidaturën e tij sapo të përfundojë seanca legjislative e Floridës në maj 2023. Por së fundmi ai ka folur për ambiciet e tij presidenciale sikur të kishte vendosur tashmë të kandidonte për postin.
Në zgjedhjet afatmesme të nëntorit 2022, DeSantis korri një fitore dërrmuese në zgjedhjet guvernatoriale në Florida, veçanërisht duke fituar mbështetjen e disa qarqeve që tradicionalisht votojnë për përfaqësuesit e Partisë Demokratike.
Kjo, së bashku me më shumë se 70 milionë dollarë të mbetura nga ajo fushatë dhe interesin nga disa donatorë të mëdhenj të GOP, ka nxitur spekulimet se Desantis mund të sfidojë Trumpin dhe të konkurrojë për nominimin presidencial.
Javët e fundit, guvernatori i Floridës ka qenë në një turne promovues të një libri autobiografik, të cilin disa media e kanë quajtur një përpjekje e Desantis për të bërë një deklaratë në nivel amerikan.