Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar nisjen e verifikimeve për një marrëveshje mes përfaqësuesve të autoshkollave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi përcaktimin e tarifës minimale për marrjen e një leje drejtimi.
Autoriteti thotë se ligji ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes.
Institucioni shqiptar vëren gjithashtu se ka kërkuar informacion nga autoritetet me qëllim vlerësimin e kufizimeve të mundshme të konkurrencës në treg.
“Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga disa shqetësime të bëra publike nga media në lidhje me marrëveshjen ndërmjet Grupeve të interesit përfaqësues të autoshkollave (Shoqata “Kombëtare e Autoshkollave” dhe Shoqata e Autoshkollave “Siguria në rrugë”), Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor mbi përcaktimin e kostos minimale fiskale (tarifat e pagesës) së përgatitjes për drejtues mjeti, ka nisur procedurat për vlerësimin e kësaj marrëveshje në kuptim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Marrëveshja parashikon rritjen e kostos për pajisjen me patentë dhe pritet të hyjë në fuqi pas pak ditësh.
Parashikohet që çmimi të shkojë në 85 mijë lekë.
Pagesat e auto-shkollës do të bëhen përmes bankës, në dy këste të ndryshme.