Ish-deputeti Mark Frroku së bashku me 8 persona të tjerë është arrestuar nga policia e Durrësit, pas hetimeve për përplasjen që ndodhi ditën e djeshme mes disa banorëve dhe përfaqësuesve të kishës lidhur me pretendimit për pronësinë e tokës në zonës bregdetare në Kepin e Rodonit.
Nga policia e Durrësit mësohet se ish-deputeti Mark Frroku ka qenë i pranishëm në vendngjarje si përfaqësues i kishës katolike në momentin kur bashkë me persona të tjerë u përshinë në konflikt. Ngjarja ndodhi pasditen e të dielës ku disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit Bajram Kaçuli, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta dhe përdorimin e armës së zjarrit pasi policia ka gjetur në vendngjarje 1 gëzhojë arme. Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa shtetas, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore janë shoqëruar dhe më pas edhe arrestuar. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit të sotëm.