Revista amerikane Foreign Policy raportoi se autoritetet kineze kanë tërhequr miliona kopje të gazetës zyrtare të Partisë Komuniste Kineze, në mes të një fushate kombëtare periodike për të përhapur ideologjinë e presidentit Xi Jinping.
Foreign Policy tha se miliona kopje të gazetës People’s Daily të 30 Marsit u tërhoqën për shkak të asaj që autoritetet thanë se ishte një “gabim politik” në atë botim.
Revista vuri në dukje se termi “gabim politik” është një përshkrim i përdorur shpesh nga autoritetet kineze për përmbajtje që bie ndesh me drejtimin zyrtar të politikës së qeverisë.
Foreign Policy sqaron se gabimi ishte mospërfshirja e emrit të presidentit kinez Xi Jinping nga një fjali që duhej të thoshte: “Qeveria qendrore, me në qendër shokun Xi Jinping, po vlerëson situatën”.
Si gazeta zyrtare e Partisë Komuniste të Kinës, People’s Daily shitet në stendat e gazetave dhe shpërndahet në universitete, zyra partie dhe institucione të tjera.
Sipas Foreign Policy , të gjithë shitësit morën njoftime që u kërkonin të shkatërronin “materialin ofendues”, duke treguar se numri përmbante gabimin.