Kina i vlerësoi si “të papërgjegjshme” dhe “të paarsyeshme” deklaratat e sekretares amerikane të Thesarit, Janet Yellen, e cila tha se aktivitetet kredituese të Pekinit po i lënë vendet në zhvillim “të bllokuara në borxhe”.
Qeveria kineze ka thënë se problemet e borxhit në botë janë përkeqësuar për shkak të Uashingtonit, pra rritjes së normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së, të cilën Pekini e quajti një “normë të paprecedentë”.
“Ne nuk pranojmë akuza të paarsyeshme. SHBA duhet të ndërmarrë veprime praktike për të ndihmuar vendet në zhvillim, në vend që të drejtojnë gishtin drejt vendeve të tjera dhe të bëjnë komente të papërgjegjshme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Mao Ning.
Në një fjalim drejtuar kongresmenëve amerikanë, Yellen tha më parë se ajo ishte “shumë e shqetësuar për disa nga aktivitetet e Kinës në nivel global” dhe se Pekini po angazhohej në vende “në një mënyrë që i lë të bllokuar në borxhe dhe nuk promovon zhvillimin ekonomik”.
Sipas saj, Uashingtoni po punon shumë për të kundërshtuar ndikimin e Kinës në institucionet ndërkombëtare dhe për t’u dhënë hua vendeve në zhvillim.
Pekini shpenzoi 240 miliardë dollarë për “hua shpëtimi” për 22 vende në zhvillim midis 2008 dhe 2021, me shumën në rritje në vitet e fundit pasi më shumë vështirësi për të shlyer kreditë e shpenzuara në infrastrukturë nën Iniciativën “Brez dhe Rrugë”, sipas një studimi të publikuar së fundmi, referuar Reuters.
Kina po negocion ristrukturimin e borxhit me disa vende, duke përfshirë Zambian, Ganën dhe Sri Lankan, dhe është kritikuar për ngadalësimin e të gjithë procesit.
Në përgjigje, ajo i bëri thirrje Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) të ofrojnë gjithashtu zgjidhje për lehtësimin e borxhit.