Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tha se KFOR-i ka refuzuar kërkesën e Serbisë për dërgimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë.
Në mesin e dhjetorit, autoritetet në Serbi i dërguan zyrës së misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, një kërkesë për dërgimin e deri në 1.000 pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.
Në një intervistë për televizionin serb, Pink, më 8 janar, ai tha se KFOR-i në përgjigjen e tij ka thënë se nuk ka nevojë për dërgimin e forcave serbe.
“KFOR-i na u përgjigj se nuk ka nevojë që forcat tona të kthehen në veri të Kosovës dhe Metohisë, siç e prisnim, edhe pse sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurisë të OKB-së nuk kanë të drejtë të refuzojnë kërkesën tonë sepse ata nuk pyetën për këtë”, tha ai.
Vuçiç tha gjithashtu se mbetet të shihet nëse Beogradi zyrtar do t’i drejtohet OKB-së dhe do të kërkojë të deklarohet në seancën e Këshillit të Sigurimit.
Ai tha se nëse kjo do të bëhej, Serbia do të mbështetej nga Rusia, por rezultati do të ishte konfirmimi i vendimit të KFOR-it.
“Çfarë do të bëjmë pas asaj seance, ta lëmë (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurti, të komentojë se si e refuzoi edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Vuçiç.
Policia serbe dhe ushtria jugosllave janë tërhequr nga Kosova në verë të vitit 1999, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.
Kjo marrëveshje i ka dhënë fund luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave.
Që atëherë, në Kosovë është vendosur misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, i cili aktualisht ka rreth 3.600 trupa.
Ai po ashtu tha se do të monitorojë dhe paralajmërojë për situatat ku KFOR-i nuk i ka mbrojtur serbët në Kosovë.
Presidenti serb përmendi plagosjen e një 11-vjeçari dhe një 21-vjeçari më 6 janar në komunën e Shtërpcës në Kosovë, ku jeton popullata shumicë serbe.
Autoritetet në Kosovë e dënuan incidentin dhe njoftuan se në të njëjtën ditë kishin arrestuar të dyshuarin.
Autoritetet në Serbi kanë marrë vendim që të dërgojnë kërkesë që pjesëtarët e forcave të saj të sigurisë të dërgohen në Kosovë, si reagim ndaj asaj që pretendojnë se ka prani të shtuar e policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.
Për njëzet ditë me radhë, në dhjetor të vitit 2022, në katër komunat veriore u vendosën barrikada në rrugët që çojnë në pikat kufitare të Kosovës dhe Serbisë.
Barrikadat ishin vendosur në shenjë proteste kundër arrestimit të një ish-polici të Kosovës nga komuniteti serb, i cili sipas autoriteteve kosovare dyshohet se ka organizuar një sulm në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.