Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka miratuar rregulloren për ngritjen në detyrë të prokurorëve, duke i hapur në këtë mënyrë rrugë plotësimit të vakancave në prokuroritë e Apelit dhe në Prokurorinë e Përgjithshme.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë hap rrugën për rekrutimin e prokurorëve të rinj në Apel dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Në rregulloren e miratuar së fundmi për ngritjen në detyrë të prokurorëve, KLP bën me dije se në shtator hapet gara për plotësimin e vakancave.
Prokurorët nuk aplikonin dot për t’u ngritur në detyrë për shkak të mungesës së rregullores, ndërkohë që për shkak të dorëheqjeve dhe vettingut ka shumë vende bosh në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Apel.
Qëllimi i kësaj Rregulloreje është përcaktimi i kritereve, i parimeve, i subjekteve dhe i procedurave për ngritjen në detyrë të prokurorëve në shkallët më të larta në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Në rregullore thuhet se ngritja në detyrë në shkallët më të larta, në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kryhet bazuar në parimet e pavarësisë, procesit të rregullt ligjor, meritokracisë, promovimit, zhvillimit të karrierës, efikasitetit, si dhe konfidencialitetit.
Procedura e ngritjes në detyrë të prokurorëve është e përcaktuar në detaje në këtë rregullore, një procedurë me 3 faza që nis me momentin e shpalljes së procedurës deri në vendimin e komisionit të posaçëm.
Vetëm pak ditë më parë, KPA arriti të largonte nga ky këshill një prokuror që ishte anëtar që në krijimin e tij. Ludovik Dodaj, i cili kishte mundur ta kalonte vetingun në KPK në të tria kriteret e përcaktuara, u ndëshkua nga KPA për të minimizuar kështu numrin e prokurorëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Ndonëse për largimin e tij nga sistemi reagoi edhe vetë kreu i KLP-së, Alfred Balla, ende nuk dihet se çfarë do të bëhet me prokurorin e vjetër.