Kërkohet një grua jo për mua, por për shoqërinë.
Atë që duket sikur është vetëm e burrave, të plogështuar nga kujdesi i shtuar për veten dhe imazhin.
Njësoj si një grua në krye të herës, atëherë kur ndarja gjinore ishte më e dukshme.
Kërkohet një grua jo për të tjerët, por për veten e saj.
Atë të sinqertën, të pasajuarën krijesë që nuk ka nevojë për bisturi që të ndihet e bukur në sytë e të tjerëve.
Njësoj si gjysmë-perënditë greke me hundën e madhe dhe barkun me majë nga mirëqenia dhe shkujdesja e të qenurit nënë.
Kërkohet një grua jo për shtëpinë, por për shtetin.
Atë të shkretin, të mbijetuarin me mundin e remitancave të emigrantëve dhe investimeve që pastrojnë paratë e pista.
Njësoj si varianti atipik i mafias italiane në vitet 50-ta në SHBA, kur nuk duhej pyetur për 1-milionshin e parë.
Kërkohet një grua jo për urtësinë, por për forcën.
Atë të dyshimtën, të pazakontën që nuk iu besohet burrave kur e shohin me sy dhe plasin me zemër.
Njësoj sikur bëmat e Katerinës së Madhe në Rusi që hodhi nga froni burrin e saj për të shkruar më pas historinë.
Kërkohet një grua jo për dhembshurinë, por për dinjitetin.
Atë të parespektuarën vlerë, që mbart trupi dhe aroma e një qenieje që është përgjegjëse për vazhdimin e jetës si e tillë.
Njësoj sikur të harronim se djemtë bëhen burra nga nënat e tyre dhe shkatërrohen nga bindja se mund të bëhen si baballarët e vajzave që duan.
Kërkohet një grua jo për mua, por për asnjëri.
Atë hapësirë boshe që ndihet në jetën shoqërore, kur asnjë person nuk ndihet i dobët apo i objektivizuar vetëm sepse është apo jo e bukur ose i pushtetshëm.
Njësoj sikur të kuptonim se modelet nuk i prodhojnë vetëm gratë apo vajzat por po hutojnë përmes përfaqësimit të gabuar një punë kolosale që është bërë për progresin e dykahshëm burrë-grua në karrierat individuale.
Kërkohet një grua jo për pushtetin, por për rokadën politike.
Atë ndjesi se gruaja është shumë e mirë por e mjaftueshme për të qenë vetëm deri në vendin e dytë, atë zëvendësues, për t’iu bindur një burri në pushtet, një ulëseje të formësuar nga një shoqëri e zbehur maskiliste.
Njësoj sikur të pranonim se jetojmë në të njëjtën kohë kur fjala e burrit dëgjohet më shumë se administrimi dhe ekuilibri mes jetës si nënë dhe udhëheqëse (lexo ish-kryeministren e Zelandës së Re, Jacinda Ardern që lindi gjatë kohës që ishte në krye të punës).
Kërkohet një grua jo për shkrimin që po lexon, por për zërin që kërkon të flasë.
Atë fuqi që buron nga mungesa e bashkëpunimit sepse zilia është më e madhe për suksesin mes grave dhe vajzave, burrat krekosen vetëm pas makinave si lodra dhe çelësave që vërviten pas vetes.
Njësoj sikur të shohësh me sytë e tu potencialin e një gjenerate të çedukuar nga normat komuniste të Parisë dhe breznajave të trashëguara të pushtetit.
Kërkohet një grua jo për martesë, por për divorcin ndaj të keqes.
Atë ves tinëzar që e ligështon dëshirën për t’u bërë nënë si e drejtë mbi trupin dhe anti-konformizëm ndaj normave të shoqërisë.
Njësoj sikur të duash të shohësh më pak sukses që manifestohet me blerjen e gjithçkaje që rrok në peshën e tij ajo copë kartmonedhë e cila quhet Lek ose para në zhargon.
Por duhen dy për të kërcyer tangon si jeta mbi shkreti dhe dashuria mbi lakminë.
Për atë kërkohet një burrë…