Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, kërkoi armëpushim në Ukrainë gjatë Botërorit “Katar 2022”, që do të nisë në 20 nëntor.
Gjatë fjalës së tij në samitin e G20 në Bali të Indonezisë, Infantino tha: “Kërkesa ime për të gjithë ju është që të mendoni për një armëpushim të përkohshëm 1-mujor, gjatë Botërorit, ose të paktën implementimin e korridoreve humanitare ose të diçkaje tjetër që të çojë në rinisjen e dialogut si hap i parë për paqen”.
“Jeni udhëheqësit e botës, mund të ndikoni në rrjedhën e historisë. Futbolli dhe Botërori ju ofrojnë një platformë unike bashkimi dhe paqeje”, shtoi Presidenti i FIFA-s.
Për shkak të nisjes së konfliktit ushtarak në Ukrainë, FIFA përjashtoi Rusinë nga Botërori, ndërkohë që Ukraina nuk arriti që të kualifikohej.