Në tregjet botërore çmimet e naftës ranë javën e kaluar, për të katërtën herë radhazi, teksa tregtarët druajnë se për shkak të ngadalësimit të rritjes së ekonomive më të mëdha botërore, kërkesa për “arin e zi” do të dobësohet.
Çmimi i një fuçie në tregun e Londrës ra javën e kaluar me 1,5 për qind – në 74,17 dollarë, ndërsa në tregun amerikan çmimi i një fuçie ra me 1,8 për qind – në 70,04 dollarë, transmeton Hina.
Rënia e çmimeve për të katërtën javë radhazi është pasojë e frikës së tregtarëve për dobësimin e kërkesës, duke qenë se rritja e ekonomive më të mëdha në botë po ngadalësohet.
Një sërë të dhënash të fundit tregojnë se rimëkëmbja e ekonomisë kineze, importuesi më i madh i naftës në botë, nuk është aq i shpejtë sa pritej pas heqjes së masave kufizuese Covid.
Nga ana tjetër, rritja e ekonomisë amerikane, konsumatorit më të madh të naftës në botë, është ngadalësuar për një kohë të gjatë, pasi banka qendrore e vendit po rrit normat e interesit prej një viti për të frenuar inflacionin.
Është e mundur një rritje e mëtejshme e normave të interesit, e cila do të ngadalësonte më tej aktivitetet në ekonomi. Kështu, të premten, guvernatorja e Fed, Michelle Bowman tha se banka qendrore mund të ketë nevojë të rrisë edhe një herë normat e interesit nëse inflacioni mbetet i ngritur.
Çmimet e naftës u ndikuan negativisht edhe nga forcimi i dollarit amerikan, pasi kjo e bën naftën më të shtrenjtë në vendet që përdorin monedha të tjera.
Indeksi i dollarit, i cili gjurmon vlerën e SHBA-së kundrejt gjashtë monedhave të tjera kryesore botërore, u rrit 1.4 për qind javën e kaluar, fitimi i tij më i madh javor që nga shkurti.
Nga ana tjetër, çmimet mbështeten nga parashikimet e analistëve se mungesa e furnizimit me naftë mund të thellohet në gjysmën e dytë të vitit.
OPEC vendosi të ulë prodhimin me 1.16 milionë fuçi shtesë në ditë nga maji deri në fund të vitit për të mbështetur çmimet.