Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka garantuar prokurorët dhe gjyqtarët se siguria e tyre është në duart e Policisë së Shtetit.
Balla zhvilloi një takim me KLP-në, Muhamer Rrumbullakun, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe kreun e SPAK, ku u diskutua siguria e magjistratëve pas dëshmisë bashkëpunëtorit të drejtësisë Artan Tafani.
Ky i fundit tha se grupi kriminal i Laert Haxhiut do të vriste dy prokurore dhe një avokat. Balla deklaroi se do të bëhen disa ndryshime në VKM për sigurinë e magjistratëve, teksa paralajmëroi të tjera goditje ndaj bandave të krimit.
“Në vëmendjen tonë është siguria e të gjithë magjistratëve. Dua që t’i garantoj se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit dhe Garda janë në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari dhe natyrshëm sigurinë e çdo gjyqtari, prokurori dhe familjeve të tyre.
Nuk ndaj me ju të njëjtin vlerësim që ka mungesë kuadri ligjor. Nuk është kështu. Falë punës së prokurorisë dhe Policisë së Shtetit ne kemi arritur të thyejmë kasafortat e sekreteve të një bande kriminale dhe në ditët në vijim do arrijmë të thyejmë edhe të tjerë. Ajo që për mua sot ka rëndësi është që kemi diskutuar dhe i kam njohur drejtuesit e KLP mbi një qasje të re që ne me drejtorin e përgjthshëm kemi diskutuar dhe që do jemi përsëri këtu brenda një jave për ta filluar zbatimin e saj që do përfshijë dhe ndryshime jo në ligj por në VKM”, deklaroi Balla.