Një paralajmërim për cunami është lëshuar pasi një tërmet me magnitudë 7.7 gradë të shkallës Rihter është regjistruar në juglindje të ishullit Loyalty në Kaledoninë e Re, një territor francez në Oqeanin Paqësor, thanë autoritetet, raporton Reuters.
Sistemi Amerikan i Paralajmërimit të Cunamit tha se dallgët prej një deri në tre metra ishin të mundshme në Vanuatu, ndërsa dallgët prej 30 centimetra deri në një metër ishin të mundshme në Fixhi, Kiribati dhe Zelandën e Re, raportoi The Guardian.
Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara raportoi se epiqendra e tërmetit ishte në një thellësi prej 38 kilometrash.
Byroja Australiane e Meteorologjisë njoftoi se ekziston një kërcënim i një cunami për ishullin Lord Howe, në bregun lindor.
Departamenti i Meteorologjisë dhe Gjeohazardeve në Vanuatu njoftoi se një tërmet i kësaj magnitude ka potencialin të gjenerojë “valë shkatërruese cunami”.
Zyrtarët gjithashtu u kërkuan njerëzve që “të marrin masat e duhura, të evakuohen nga zonat bregdetare dhe të kërkojnë vendndodhje më të larta”.
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Zelandës së Re ka njoftuar se është ende duke vlerësuar nëse do të lëshojë një paralajmërim për cunami.